Teatri “Migjeni” në Shkodër mirëpriti mbrëmjen artistike “Kudo Bashkë”, një aktivitet i organizuar nga Qendra “Lumturo Dhimbjen”, me mbështetjen e Teatrit “Migjeni” dhe nismës “Super Omeri”. Aktiviteti solli në skenë fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara, të cilët interpretuan për publikun përmes muzikës, kërcimit dhe performancave artistike, duke përcjellë mesazhe të forta për barazinë, pranimin dhe gjithëpërfshirjen.  

Koncerti u shoqërua me emocione të veçanta, ndërsa publiku duartrokiti talentin, vullnetin dhe energjinë e pjesëmarrësve, të cilët dëshmuan se arti është një gjuhë që bashkon të gjithë pa dallim.

Në hollin e Teatrit “Migjeni” u çel gjithashtu një ekspozitë me punime të realizuara nga fëmijë me çrregullime të spektrit autik. Punimet artistike shërbyen si një tjetër mënyrë për të promovuar krijimtarinë, potencialin dhe rëndësinë e mbështetjes së personave me aftësi të kufizuara.

Mbrëmja u mbyll me një mesazh sensibilizues për ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse, ku secili të ketë mundësinë të shprehë talentin dhe të ndihet i vlerësuar.