Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër u ka bërë apel guidave turistike dhe operatorëve të tureve që zhvillojnë aktivitet në Rezervatin Natyror të Menaxhuar Liqeni i Shkodrës të tregojnë kujdes të veçantë gjatë lëvizjes me mjete lundruese në zonat e mbuluara me zambakë uji.

Sipas njoftimit, këto habitate përbëjnë zona të rëndësishme folezimi dhe strehimi për shumë lloje shpendësh, mes tyre edhe dallëndyshen faqebardhë të detit. Hyrja e vazhdueshme e mjeteve lundruese në këto zona shkakton shqetësim gjatë periudhës së folëzimit, duke rrezikuar braktisjen e foleve, dëmtimin e vezëve dhe uljen e suksesit riprodhues të kësaj specieje.

Administrata u kërkon operatorëve turistikë të shmangin hyrjen në zonat ku evidentohen koloni folezimi, të respektojnë distancat e sigurisë nga habitatet e shpendëve, të informojnë turistët mbi rëndësinë e mbrojtjes së faunës së egër dhe të promovojnë një turizëm të përgjegjshëm e të qëndrueshëm.

Sipas institucionit, ruajtja e biodiversitetit të Liqenit të Shkodrës është një përgjegjësi e përbashkët, me qëllim që kjo pasuri natyrore të mbetet një strehë e sigurt për shpendët dhe një destinacion unik për vizitorët.