Pas ndeshjes së parë të turit të parë kualifikues të UEFA Conference League ndaj Vllaznisë, klubi nga Kosova, FC Malisheva, ka shprehur mirënjohjen për pritjen që iu rezervua në Shkodër.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, FC Malisheva falënderoi qytetin dhe tifozët shkodranë për atmosferën dhe mikpritjen gjatë qëndrimit të skuadrës në Shqipëri.

“Faleminderit Shkodër për atmosferën e bukur dhe mikpritjen e jashtëzakonshme që treguat për sa kohë që qëndruam atje. Ishte kënaqësi të ishim mysafirët tuaj. Ju mirëpresim të mërkurën në Prishtinë!”, shkruhet në postim, duke e shoqëruar mesazhin me fotografi nga ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”.

Takimi i parë përfundoi me fitoren 2-1 të Vllaznisë, ndërsa tashmë vëmendja është përqendruar te sfida e kthimit, e cila do të luhet të mërkurën në Hajvali të Prishtinës dhe do të vendosë skuadrën që do të avancojë në raundin e dytë të UEFA Conference League.