Ura e Mesit vijon të jetë një nga atraksionet më të vizituara turistike në Shkodër, duke tërhequr çdo ditë vizitorë nga vende të ndryshme të botës. Monumenti i trashëgimisë kulturore, i rrethuar nga natyra dhe peizazhi karakteristik i zonës, mbetet një ndalesë e preferuar për turistët që vizitojnë veriun e Shqipërisë.
Turistët shprehen të impresionuar jo vetëm nga bukuria e urës, por edhe nga mikpritja e banorëve. Një vizitore nga Australia tregon se ka mbetur e mahnitur nga përvoja e saj në Shqipëri.
Një tjetër turiste, që ndodhet për herë të parë në vendin tonë, e cilëson Shqipërinë si “vendin më të bukur në botë”, duke vlerësuar ngrohtësinë dhe mirësinë e njerëzve. Ndërsa vizitorë të tjerë tregojnë se rikthehen vazhdimisht në Shkodër për të shijuar bukuritë natyrore të zonës, si Taraboshi, Shiroka dhe tashmë edhe Ura e Mesit.
Falë historisë, arkitekturës karakteristike dhe peizazhit të veçantë që e rrethon, Ura e Mesit po forcon gjithnjë e më shumë pozicionin e saj si një nga kartolinat më përfaqësuese të turizmit në Shkodër, duke lënë mbresa të veçanta te çdo vizitor.
