Sherif Kallaku nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë. Klubi kuqeblu njoftoi se ka arritur marrëveshjen me Teutën për transferimin e mesfushorit, duke i dhënë fund bashkëpunimit me futbollistin që ishte një nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës gjatë sezonit të kaluar.  

Në reagimin zyrtar, Vllaznia falënderon Kallakun për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë me fanellën kuqeblu, ndërsa i uron suksese në vazhdim të karrierës së tij.

Largimi i tij vjen si një zhvillim disi i papritur, pasi menjëherë pas përfundimit të sezonit, Vllaznia publikoi zyrtarisht rinovimin e kontratës së Kallakut edhe për një vit tjetër. Megjithatë, situata ka ndryshuar brenda merkatos së verës dhe palët kanë vendosur të ndajnë rrugët, me mesfushorin që rikthehet te Teuta.