Romani më i ri i shkrimtarit dhe publicistit Ben Blushi, “Jam mysliman”, u promovua në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, duke shënuar ndalesën e fundit të turit prezantues.

Vepra rrëfen historinë e një shkrimtari që kalon nga ateizmi në besimin mysliman, duke trajtuar me nota ironike dhe filozofike raportin mes fesë, shtetit laik dhe realitetit shqiptar. Ngjarjet zhvillohen në Rrugën e Kavajës, ku protagonisti përballet me ndryshimet që prekin shoqërinë dhe jetën e tij personale.

Pas një udhëtimi në Mekë dhe përballjes me izolimin e presionin, personazhi vendos të konvertohet në mysliman, në një rrëfim që autori e përdor si metaforë për kërkimin e shpëtimit dhe humbjen e besimit te shoqëria.

Sipas Ben Blushit, romani sjell në vëmendje rrezikun e tendencave radikale që mund të cenojnë funksionimin e shtetit laik dhe lirinë e mendimit e të shprehjes. Autori theksoi se libri nuk i drejtohet një grupi të caktuar lexuesish, por kujtdo që dëshiron të reflektojë mbi sfidat e shoqërisë së sotme.

“Jam mysliman” është libri i dymbëdhjetë i Ben Blushit dhe i shtohet listës së veprave të tij më të njohura, si “Të jetosh në ishull”, “Otello, Arapi i Vlorës”, “Kandidati” dhe “Komploti”.