Kampi veror “Buzëqeshim Verës”, i organizuar nga Bashkia Shkodër, po zhvillohet me sukses për të tretin vit radhazi, duke mbledhur qindra fëmijë në një atmosferë të mbushur me lojëra, aktivitete edukative dhe argëtuese.
Vetë fëmijët shprehen se kampi po u dhuron një verë ndryshe, ku përveç argëtimit të përditshëm, po krijojnë edhe miqësi të reja që shpresojnë t’i ruajnë edhe pas përfundimit të tij.
Punonjësja sociale e Bashkisë Shkodër, Stesi Boriçi, tregon se interesi këtë vit ka qenë më i madh se sa ishte parashikuar. Sipas saj, numri i regjistrimeve ka tejkaluar pritshmëritë, çka ka bërë që kampi të zgjatet edhe me një javë, për t’u dhënë mundësi sa më shumë fëmijëve të bëhen pjesë e aktiviteteve.
I organizuar në disa qendra komunitare dhe shkolla, si në qytetin e Shkodrës ashtu edhe në njësitë administrative, kampi u ofron fëmijëve mundësi për t’u socializuar, për të zhvilluar aftësi të reja dhe për t’i kaluar pushimet verore në një mjedis të sigurt, edukativ dhe gjithëpërfshirës.
Përmes nismës “Buzëqeshim Verës”, Bashkia Shkodër vijon të investojë në mirëqenien e fëmijëve, duke krijuar hapësira ku ata mësojnë, bashkëpunojnë dhe ndërtojnë kujtime të bukura gjatë verës.
