Festës së Liqenit, e organizuar nga Bashkia Shkodër, i dha jetë kësaj fundjave në brigjet e Liqenit të Shkodrës, duke tërhequr vizitorë të shumtë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës. Aktivitetet sportive dhe turistike, shëtitjet me kanoe e biçikleta në ujë, si edhe gatimet tradicionale të servirura në Shirokë dhe Zogaj, krijuan një atmosferë festive dhe plot gjallëri.
Turistët u shprehën të mahnitur nga bukuritë natyrore të zonës, peizazhet e liqenit, zambakët e ujit dhe mundësitë e shumta për të eksploruar natyrën. Vizitorë nga Shtetet e Bashkuara, Zvicra dhe Gjermania vlerësuan mikpritjen e banorëve, panoramën e veçantë dhe kombinimin unik mes liqenit, maleve dhe trashëgimisë kulturore që ofron Shkodra.
Në qendër të festimeve ishte Zogaj, ku u zhvillua një program i pasur me aktivitete kulturore, tradicionale dhe turistike. Vizitorët patën mundësinë të njihen më nga afër me historinë e Liqenit të Shkodrës, jetën e peshkatarëve dhe traditat e zonës, ndërsa mikpritja karakteristike e banorëve e bëri përvojën edhe më të veçantë.
Peshkatari Aziz Pateriku ndau me të pranishmit historitë dhe traditën e jetës pranë liqenit, ndërsa drejtori i Turizmit, Renato Lumçi, theksoi rëndësinë e organizimeve të tilla në promovimin e Shkodrës si një destinacion turistik me potencial të madh.
Festa e Liqenit konfirmoi edhe një herë potencialin e Shkodrës si një prej destinacioneve më tërheqëse të sezonit veror, duke promovuar natyrën, kulturën, traditën dhe mikpritjen që e bëjnë këtë zonë një atraksion të veçantë për vizitorët vendas dhe të huaj.
