Vllaznia ka zhvilluar konferencën për mediat në prag të përballjes me Malishevën, e vlefshme për turin e parë të UEFA Conference League. Trajneri Edi Martini u ndal te situata e merkatos, duke bërë të ditur se FIFA ka zhbllokuar procesin, por pa garantuar se të gjithë futbollistët e afruar gjatë verës do të mund të federohen në kohë për këtë sfidë.

Gjatë konferencës, tekniku kuqeblu konfirmoi gjithashtu se rrugët e klubit janë ndarë me mesfushorin Sherif Kallaku dhe portierin Leon Pohls, duke sqaruar se ata nuk do të jenë më pjesë e Vllaznisë.

Martini foli edhe për kundërshtarin, duke pranuar se Malisheva nuk ishte rivali që do të kishte preferuar në short, por theksoi se skuadra e tij është e përqendruar maksimalisht për të nisur me rezultat pozitiv aventurën europiane.

Ndërkohë, Vllaznia zhvilloi edhe seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Loro Boriçi”, ku kuqeblutë mbyllën përgatitjet për ndeshjen e parë zyrtare përballë ekipit nga Kosova.