Me një përshëndetje në gjuhën shqipe, trajneri i Malishevës, Thomas Brdariç, e nisi konferencën për mediat në prag të ndeshjes me Vllazninë, duke shënuar rikthimin e tij në Shkodër, këtë herë si kundërshtar.

Brdariç u ndal te emocionet që i sjell rikthimi në qytetin ku drejtoi Vllazninë, duke theksuar se Shkodrën e konsideron si shtëpinë e tij të dytë. Ai vlerësoi gjithashtu arritjen e kuqebluve për t’u kualifikuar në Ligën e Konferencës, por shtoi se objektivi i Malishevës është kalimi në turin tjetër.

Edhe kapiteni i skuadrës nga Kosova, Dren Kryeziu, u shpreh se është një emocion i veçantë të luash në tokën shqiptare, ndërsa theksoi se ekipi është përgatitur për një ndeshje të vështirë.

Ndërkohë, Malisheva zhvilloi seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Loro Boriçi”, nën drejtimin e Thomas Brdariç, duke mbyllur përgatitjet për sfidën ndaj Vllaznisë.