Punimet për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër po avancojnë me ritme të mira, ndërsa objekti pritet të jetë gati për të pritur nxënësit me nisjen e vitit të ri shkollor.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cilësoi këtë investim si një projekt me rëndësi jo vetëm për arsimin, por edhe për qytetin, duke theksuar se godina e re do të jetë një vepër funksionale dhe arkitekturore, e shumëpritur nga nxënësit, mësuesit dhe komuniteti.

Sipas Kumbaros, investimi i përbashkët i Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Shkodër po ecën sipas planit, me synimin që shkolla të ofrojë ambiente bashkëkohore, të sigurta dhe funksionale për zhvillimin e procesit mësimor.

Rikonstruksioni i plotë i shkollës “Ismail Qemali” është një nga investimet më të rëndësishme në infrastrukturën arsimore të Shkodrës dhe pritet të përmirësojë ndjeshëm kushtet për qindra nxënës dhe stafin pedagogjik.