Me emocione, duartrokitje dhe shumë kujtime, Qendra Kulturore e Fëmijëve “Kujtim Alija” organizoi për herë të parë aktivitetin falënderues “Koha për të fluturuar”, kushtuar fëmijëve që përmbyllin rrugëtimin e tyre në këtë institucion për shkak të kriterit të moshës.

Drejtuesja e qendrës, Orjeta Kelaj, vlerësoi kontributin dhe përkushtimin e secilit prej tyre, duke theksuar se QKF ka qenë për vite me radhë një hapësirë ku talentet janë zhvilluar dhe janë nxitur të ndjekin ëndrrat e tyre. Edhe instruktorja e kursit të aktrimit, mjeshtrja Drande Xhaj, u ndal te puna e bërë me fëmijët dhe emocionet që sjell ndarja me një brez të rritur në skenën e qendrës.

Vetë fëmijët ndanë kujtimet më të bukura nga vitet e kaluara në QKF, duke folur për miqësitë, aktivitetet artistike dhe përvojat që kanë lënë gjurmë në formimin e tyre.

Qendra Kulturore e Fëmijëve “Kujtim Alija” vijon të mbetet një vatër e rëndësishme e edukimit artistik dhe kulturor në Shkodër, duke u dhënë brezave të rinj mundësinë të zbulojnë dhe zhvillojnë talentet e tyre.