Një tjetër film i dashur i kinematografisë shqiptare do të marrë jetë përmes restaurimit. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka bërë të ditur se filmi “Guximtarët”, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re” i vitit 1970, do t’i nënshtrohet procesit të restaurimit në kuadër të nismës “Adopto një Film për Restaurim”.
Restaurimi është bërë i mundur falë mbështetjes së një donatori anonim, të cilin Arkivi e ka falënderuar publikisht për kontributin në ruajtjen e trashëgimisë së kinemasë shqiptare. Nisma mbetet ende e hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në restaurimin e filmave të tjerë.
Pas përfundimit të punimeve, filmi do të shfaqet premierë në Kinema Drita, duke u ofruar publikut mundësinë ta ndjekë në një cilësi të restauruar.
“Guximtarët”, me skenar të Flamur Topit dhe regji të Gëzim Erebarës, sjell interpretimet e aktorëve të njohur si Tinka Kurti, Artan Santo, Sandër Prosi, Mevlan Shanaj, Agim Mujo, Zana Turku dhe shumë emra të tjerë që kanë lënë gjurmë në historinë e filmit shqiptar. Restaurimi i tij konsiderohet një hap i rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kinematografike.
