Moderatorja dhe këngëtarja Enxhi Nasufi zhvilloi një aktivitet në Qendrën Komunitare “Harmonia” në Shkodër, ku dhuroi për prindërit e fëmijëve me çrregullime të spektrit të autizmit librin “Unë jam Aroni. Nuk jam budalla”. Ky botim synon të ndihmojë familjet të kuptojnë më mirë autizmin dhe të përballojnë sfidat e përditshme, duke ofruar informacion dhe këshilla të vlefshme.
Gjatë aktivitetit, Enxhi Nasufi theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe mbështetjes së vazhdueshme për familjet që rrisin fëmijë me çrregullime të spektrit të autizmit. Në këtë nismë morën pjesë edhe zv.kryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, autorja e librit Megi Vjerdha-Shllaku, si dhe një prej prindërve përfitues, Aleksandër Kola, të cilët ndanë mesazhe mbi rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes për këto familje.
Librat iu shpërndanë prindërve në ambientet e Qendrës “Harmonia”, një shërbim i Bashkisë Shkodër që ofron terapi dhe mbështetje të specializuar për fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit, si dhe këshillim e orientim profesional për prindërit.
Përmes këtij gjesti simbolik, Enxhi Nasufi përcolli një mesazh solidariteti dhe sensibilizimi, duke theksuar se mbështetja e familjeve të fëmijëve me autizëm është një përgjegjësi e përbashkët dhe se çdo kontribut mund të sjellë më shumë shpresë, mirëkuptim dhe përfshirje në komunitet.
