Vetëm dy ditë kanë mbetur nga përballja mes Vllaznisë dhe Malishevës, e vlefshme për turin e parë të Ligës së Konferencës. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”, aty ku skuadra shkodrane synon të shfrytëzojë mbështetjen e tifozëve për të siguruar një rezultat pozitiv në takimin e parë.

Ish-kapiteni kuqezi, Rudi Vata, e konsideron një sfidë delikate për Vllazninë, duke ndalur vëmendjen te trajneri i Malishevës, Thomas Brdariç. Sipas Vatës, tekniku gjerman e njeh shumë mirë ambientin shkodran dhe cilësitë e skuadrës kuqeblu, pasi më parë ka drejtuar me sukses Vllazninë.

Edhe ish-futbollisti i viteve ’80, Ilir Kepa, beson se Vllaznia ka potencial për të kaluar turin, por thekson se skuadra duhet të jetë më efikase në repartin ofensiv. Ai shprehet se Bekim Balaj nuk mund ta mbajë i vetëm peshën e sulmit dhe se nevojitet kontribut edhe nga lojtarët e tjerë të fazës sulmuese.

Kuqeblutë kanë përmbyllur fazën përgatitore në Slloveni dhe tashmë janë të përqendruar plotësisht te sfida e së enjtes. Në kampin shkodran mbizotëron besimi se skuadra ka cilësinë e duhur për të kaluar Malishevën dhe për të vijuar rrugëtimin europian në turin e dytë të Ligës së Konferencës.