Një ndërhyrje e avancuar endovaskulare është realizuar me sukses në Spitalin Rajonal të Shkodrës, duke i dhënë zgjidhje një pacienti 52-vjeçar që vuante prej vitesh nga hipertensioni arterial i pakontrolluar.
Pas diagnostikimit të një stenoze kritike të arteries renale të majtë, ekipi i mjekëve kreu angioplastikën endovaskulare dhe vendosjen e një stenti të medikuar. Ndërhyrja riktheu qarkullimin normal të gjakut, duke krijuar mundësi për kontroll më të mirë të tensionit arterial dhe përmirësim të cilësisë së jetës së pacientit.
Procedura u realizua falë bashkëpunimit të Shërbimit të Hemodinamikës dhe Kirurgjisë Vaskulare, duke dëshmuar kapacitetet profesionale dhe teknologjinë bashkëkohore që ofron Spitali Rajonal Shkodër.
Në këtë ndërhyrje morën pjesë mjekët Gledis Zaimi, Besmir Grizhja dhe Aurel Demiraj, së bashku me infermierët Afrim Bashi dhe Ermal Dibra, të cilët u vlerësuan për profesionalizmin dhe përkushtimin në shërbim të pacientëve.
