Provimi i Praktikës Profesionale të Integruar për nxënësit e profilit “Menaxhim i Strukturave Akomoduese”, niveli V i KSHK, u zhvillua në mjediset e një biznesi, duke i vendosur kandidatët përballë situatave reale të punës në sektorin e hotelerisë dhe turizmit.
Gjatë provimit, nxënësit demonstruan njohuritë dhe aftësitë e fituara gjatë formimit profesional në fusha si menaxhimi i recepsionit, organizimi i eventeve, koordinimi i shërbimeve, komunikimi me klientët dhe administrimi i proceseve të punës në strukturat akomoduese.
Ky model vlerësimi synon t’i afrojë sa më shumë nxënësit me realitetin e tregut të punës, duke i përgatitur ata për sfidat që do të përballen pas përfundimit të studimeve dhe duke forcuar bashkëpunimin mes shkollës dhe biznesit.
Një prej ish-nxënësve të shkollës “Hamdi Bushati”, tashmë i punësuar në sektorin e hotelerisë, vlerësoi formimin profesional të marrë në shkollë, duke theksuar se praktika dhe bashkëpunimi me biznesin kanë qenë vendimtare në ndërtimin e karrierës së tij.
Programi “Menaxhim i Strukturave Akomoduese” është një kualifikim profesional pas arsimit të mesëm që synon të përgatisë specialistë të aftë për të menaxhuar shërbimet në hotele, bujtina, resorte dhe struktura të tjera akomoduese, në përputhje me kërkesat në rritje të industrisë së turizmit.
