Sheshi, rrugët dhe lokalet e Shkodrës mbushen çdo mbrëmje vere me turistë nga vende të ndryshme të botës, duke krijuar një atmosferë të gjallë që po e shndërron qytetin në një nga destinacionet më të preferuara turistike në Shqipëri.

Vizitorët thonë se zgjodhën Shkodrën për të përjetuar diçka ndryshe, larg destinacioneve të mbipopulluara. Ata vlerësojnë mikpritjen karakteristike shkodrane, ushqimin tradicional, arkitekturën dhe mundësinë për të kombinuar pushimet në qytet me aventurat në natyrë.

Shumë prej tyre kanë vizituar ose planifikojnë të vizitojnë Thethin, Valbonën, shtegun “Peaks of the Balkans”, Syrin e Kaltër, Lumin e Shalës, Liqenin e Shkodrës dhe Velipojën, duke i cilësuar Alpet Shqiptare dhe peizazhet natyrore si ndër më të bukurat që kanë parë.

Turistë nga Anglia, Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australia, Republika Çeke, Holanda dhe vende të tjera shprehen se Shkodra i ka surprizuar pozitivisht. Ata e përshkruajnë Shqipërinë si një destinacion ende të pazbuluar plotësisht, me kulturë autentike, njerëz shumë miqësorë dhe çmime të përballueshme.

Shumë vizitorë tregojnë se tashmë po ua rekomandojnë Shkodrën miqve dhe familjarëve, ndërsa disa kanë ndarë përvojat e tyre edhe në rrjetet sociale, duke promovuar qytetin si një destinacion që ia vlen të vizitohet.

Interesi në rritje reflektohet edhe në statistika. Sipas AirDNA, Shkodra ka regjistruar rritjen më të lartë të normës së prenotimeve në tregun e akomodimit afatshkurtër, ndërsa Bashkia Shkodër raporton një rritje prej 25 për qind të numrit të vizitorëve krahasuar me vitin 2025.

Me kombinimin e natyrës, kulturës, traditës dhe mikpritjes, Shkodra po forcon pozicionin e saj si një destinacion që nuk vizitohet vetëm për disa orë, por përjetohet dhe rekomandohet nga turistët që largohen me përshtypje të shkëlqyera.