Aktualisht në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” vijon të jetë e hapur për publikun ekspozita “Gjon Mili: Retrospektivë”, e cila sjell për herë të parë në Shqipëri një koleksion origjinal të veprave të fotografit shqiptaro-amerikan Gjon Mili. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në shtator dhe është pjesë e kalendarit jubilar të muzeut.  

Viti 2026 shënon 10-vjetorin e hapjes së Muzeut “Marubi”, ndaj institucioni ka zgjeruar programin e aktiviteteve me një numër më të madh ekspozitash përgjatë gjithë vitit. Drejtori i muzeut, Luçjan Bedeni, tregon se edhe në gjysmën e dytë të vitit vizitorët do të kenë mundësi të ndjekin ekspozita të reja, të cilat do të vijojnë të sjellin autorë dhe koleksione me vlera të veçanta.

Sipas Bedenit, kalendari ekspozitor i këtij viti është ndërtuar për të pasuruar ofertën kulturore të muzeut dhe për ta kthyer atë në një pikë të rëndësishme referimi për publikun vendas dhe të huaj.

Drejtori i muzeut thekson gjithashtu se nuk ka një dallim të dukshëm në preferencat e vizitorëve mes ekspozitave të autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Sipas tij, interesi përcaktohet më shumë nga cilësia dhe rëndësia e veprave të ekspozuara sesa nga origjina e autorëve, ndërsa Muzeu “Marubi” vijon të mbetet një nga qendrat më të vizituara të kulturës në Shkodër.