Komuniteti sportiv shqiptar është në zi pas ndarjes së parakohshme nga jeta të atletit të ri të Vllaznisë, Dardan Baraku, kampion i Shqipërisë në garën e 100 metrave për grupmoshën U16. Lajmi i hidhur u bë i ditur nga Shoqata e Atletikës “Vllaznia”, e cila shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e sportistit të talentuar, pas një sëmundjeje të rëndë.

Dardani konsiderohej një nga talentet më premtuese të atletikës shqiptare. Me përkushtimin, disiplinën dhe rezultatet e tij në pistë, ai arriti të fitonte titullin kampion të Shqipërisë në kategorinë U16 në garën e 100 metrave, duke sjellë krenari për klubin dhe sportin shkodran.

Në mesazhin e ngushëllimit, Shoqata e Atletikës “Vllaznia” e përshkruan Dardanin si një djalë shembullor, i cili la gjurmë te trajnerët, bashkëmoshatarët dhe të gjithë ata që e njohën, jo vetëm si sportist, por edhe si njeri.

Humbja e tij ka prekur thellë familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin sportiv. Shoqata i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Baraku, duke theksuar se kujtimi i Dardan Barakut do të mbetet përherë i gjallë në zemrat e të gjithëve.