Aktori dhe regjisori shkodran Mario Ashiku renditet ndër artistët që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në historinë e teatrit dhe kinemasë shqiptare. I lindur në Shkodër në vitin 1939, ai u diplomua në Shkollën e Lartë për Aktor “Aleksandër Moisiu”, për të nisur më pas karrierën si aktor në Teatrin Popullor, sot Teatri Kombëtar.
Debutimin në kinematografi e bëri në vitin 1959 me rolin e Arbenit në filmin “Furtuna”, ndërsa gjatë karrierës interpretoi në më shumë se 13 filma artistikë dhe televizivë. Ai u dallua veçanërisht për rolet e Lekës në filmin “Toka jonë” (1964) dhe Shpend Dragobisë në “Nëntori i dytë” (1982), duke krijuar personazhe që mbeten pjesë e fondit të artë të kinemasë shqiptare.
Përveç aktrimit, Mario Ashiku dha kontribut edhe në edukimin e brezave të rinj si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, pranë regjisorit dhe pedagogut të njohur Kujtim Spahivogli. Më pas ai u transferua në Estradën e Pogradecit, ku punoi deri në vitin 1986.
Me interpretimet dhe angazhimin e tij shumëvjeçar në skenë e në ekran, Mario Ashiku mbetet një nga emrat që ka lënë gjurmë të rëndësishme në artin skenik shqiptar.
