Vllaznia ka zyrtarizuar afrimin e mbrojtësit të majtë Emiljano Musta, i cili do të jetë pjesë e skuadrës kuqeblu për sezonin e ri. Klubi shkodran bëri publik marrëveshjen me 34-vjeçarin, duke e konsideruar një përforcim të rëndësishëm për objektivat në kampionat dhe në arenën europiane.

Transferimi vjen vetëm pak orë pasi Musta i dha lamtumirën Elbasanit. Anësori i majtë falënderoi klubin verdheblu përmes një postimi në rrjetet sociale, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij për të nisur një aventurë të re me fanellën kuqeblu.

Me eksperiencën e fituar ndër vite në futbollin shqiptar, Musta pritet t’i japë më shumë cilësi dhe siguri krahut të majtë të Vllaznisë. Drejtuesit e klubit besojnë se ai do të japë një kontribut të rëndësishëm në realizimin e objektivave të sezonit, si në Superligë ashtu edhe në garat europiane.

Në mesazhin e mirëseardhjes, Vllaznia i uroi Emiljano Mustës suksese me fanellën kuqeblu dhe e mirëpriti zyrtarisht në familjen e klubit.