Shegani, një nga pikat më të bukura turistike në brigjet e Liqenit të Shkodrës, në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe, mirëpriti “Festën e Liqenit”, një aktivitet që synon promovimin e vlerave natyrore, kulturore dhe turistike të zonës.
Eventi mblodhi vizitorë, banorë dhe operatorë turistikë, të cilët u bënë pjesë e një programi me muzikë, shëtitje me varka, konkurse pikture dhe promovim të gatimeve tradicionale me produkte të liqenit.
Gjatë aktivitetit, kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj, premtoi se së shpejti do të nisë ndërhyrja për përmirësimin e infrastrukturës rrugore që të çon drejt Sheganit, një investim që pritet të lehtësojë aksesin dhe të rrisë potencialin turistik të kësaj zone.
Sipas tur-operatorëve, organizimi i aktiviteteve të tilla ndihmon në promovimin e destinacioneve më pak të njohura dhe krijon mundësi të reja për zhvillimin e itinerareve turistike brenda vendit.
Nga ana tjetër, ambientalisti dhe këshilltari bashkiak Mirsad Basha theksoi se zhvillimi i turizmit duhet të shoqërohet me masa konkrete për mbrojtjen e natyrës, duke apeluar që zona të tilla të ruhen nga pasojat e turizmit masiv.
Liqeni i Shkodrës, i shpallur Rezervë Biosfere nga UNESCO, mbetet një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të rajonit, ndërsa organizimi i aktiviteteve promovuese si “Festa e Liqenit” synon ta bëjë këtë destinacion gjithnjë e më të njohur për vizitorët vendas dhe të huaj.
