Kalaja “Rozafa” vijon të mbetet një nga destinacionet më të vizituara të turizmit kulturor në vend. Zgjatja e orarit të vizitave nga ora 09:00 deri në 20:00 gjatë sezonit veror ka ndikuar pozitivisht në rritjen e numrit të vizitorëve.

Sipas të dhënave të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, gjatë muajit qershor kalaja është vizituar nga 21 724 turistë, ndërsa në total, që nga fillimi i vitit, numri i vizitorëve vendas dhe të huaj ka kaluar 85 mijë.

Drejtori i DRTK Shkodër, Helidon Sokoli, bën të ditur se së shpejti në sit do të nisin ndërhyrjet që janë pjesë e projektit të rijetëzimit të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Sipas tij, punimet janë planifikuar në mënyrë të tillë që të mos pengojnë zhvillimin normal të sezonit turistik.

Ndërkohë, DRTK Shkodër vijon punën edhe për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e monumenteve të kulturës dhe siteve historike në të gjithë qarkun, me synimin për të garantuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe një përvojë sa më cilësore për vizitorët.

Rritja e vazhdueshme e numrit të turistëve konfirmon se turizmi kulturor po fiton gjithnjë e më shumë peshë në qarkun e Shkodrës, me Kalanë “Rozafa” që mbetet një nga pikat më të rëndësishme të këtij zhvillimi.