Bashkia Shkodër ka përmbyllur me sukses Skemën e Granteve për Bizneset Inovative, një program që synon të mbështesë sipërmarrjen, inovacionin dhe krijimin e vendeve të reja të punës në qytet.

Interesi për këtë nismë ishte i lartë, me 67 aplikime të paraqitura nga individë dhe biznese me ide inovative. Pas procesit të vlerësimit, 18 finalistë prezantuan projektet e tyre në fazën përfundimtare.

Përveç mbështetjes financiare, pjesëmarrësit u përfshinë edhe në një program trajnimesh për hartimin e planeve të biznesit dhe zhvillimin e aftësive sipërmarrëse. Skema kishte një fond prej 5 milionë lekësh, duke financuar deri në 500 mijë lekë për secilin përfitues.

Programi i kushtoi vëmendje të veçantë të rinjve, të rikthyerve nga emigracioni dhe përfaqësuesve të diasporës, me synimin për të nxitur investimet dhe idetë e reja në Shkodër.

Përmes kësaj skeme, Bashkia Shkodër rikonfirmon angazhimin për të mbështetur bizneset inovative, zhvillimin ekonomik lokal dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët.