Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Bashkinë Shkodër ka marrë të gjitha masat për përballimin e situatave të mundshme gjatë sezonit veror, periudhë kur rreziku i zjarreve rritet ndjeshëm për shkak të temperaturave të larta.

Në një intervistë, drejtori i MZSH-së Shkodër, Agim Ponari, shprehet se struktura është në gatishmëri të plotë, me efektivët dhe mjetet e nevojshme për të ndërhyrë në çdo rast emergjence.

Për të garantuar reagim sa më të shpejtë në zonën bregdetare, prej datës 15 qershor është vendosur në Velipojë një stacion i përkohshëm zjarrfikës, i cili funksionon 24 orë në ditë dhe do të jetë në shërbim deri në muajin shtator.

Ponari theksoi se në territorin e Bashkisë Shkodër ka disa zona që konsiderohen me risk të lartë për zjarret, për shkak të historikut të përsëritur të vatrave. Sipas tij, përveç temperaturave të larta, një nga shkaqet kryesore mbetet edhe pakujdesia e qytetarëve, ndaj ai apeloi për më shumë përgjegjësi dhe respektim të rregullave për parandalimin e zjarreve.

Sipas statistikave të Drejtorisë së MZSH-së, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë regjistruar 184 ndërhyrje operacionale, nga të cilat 151 për shuarjen e zjarreve dhe 33 ndërhyrje shpëtimi, pa asnjë të plagosur apo viktimë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, numri i ndërhyrjeve ka rënë me rreth 27%, megjithatë autoritetet theksojnë se muajt korrik dhe gusht mbeten periudha me rrezikun më të lartë, ndaj gatishmëria e shërbimit do të vijojë të jetë maksimale.