Në historinë e udhëtarëve të huaj që kanë lënë gjurmë në njohjen e Shqipërisë, emri i Rose Wilder Lane zë një vend të veçantë. E njohur si shkrimtare dhe gazetare amerikane, vajza e autores së famshme Laura Ingalls Wilder, ajo mbërriti në Shqipëri në vitin 1921 si pjesë e misioneve humanitare të Kryqit të Kuq Amerikan.
Fillimisht, Lane ndodhej në kampin e refugjatëve në Shkodër, por një bisedë me një kolege e bindi të linte çdo plan tjetër dhe të nisej drejt maleve të veriut. Ajo u bashkua me një ekspeditë që kishte për destinacion krahinën e Shalës, ku synohej ngritja e shkollave për banorët vendas.
Ky udhëtim u shndërrua në një përvojë të paharrueshme. Rose Wilder Lane u mahnit nga mikpritja, traditat dhe mënyra e jetesës së malësorëve shqiptarë, të cilët ajo i përshkroi si një popull që ruante zakone shumë të lashta. Përshtypjet e saj u botuan më vonë në librin “Peaks of Shala”, të publikuar në Londër në vitin 1922, një vepër që konsiderohet ndër librat më të rëndësishëm të udhëtimit për Shqipërinë e Veriut në fillim të shekullit XX.
Edhe pse fotografitë që ilustrojnë librin nuk u realizuan nga vetë Lane gjatë ekspeditës së parë, një vit më vonë ajo dërgoi fotografe amerikane Annette (Peggy) Marquis në të njëjtin itinerar për të dokumentuar me aparat jetën dhe peizazhet e Alpeve Shqiptare. Negativët e këtyre fotografive mbijetuan për pak pasi aparati ra në ujë gjatë kthimit, por pamjet u shpëtuan dhe u botuan së bashku me librin.
Koleksioni fotografik, i publikuar dhe sistemuar nga albanologu i ndjerë Robert Elsie, përmban imazhe të rralla të Shkodrës, Dukagjinit, Thethit, Shalës dhe jetës së përditshme të banorëve të veriut shqiptar, duke përbërë një dëshmi të vyer historike dhe etnografike të Shqipërisë së viteve 1920.
Dashuria e Rose Wilder Lane për Shqipërinë nuk përfundoi me atë ekspeditë. Ajo u rikthye disa herë në vendin tonë gjatë viteve ‘20 dhe mbeti një nga zërat më të rëndësishëm amerikanë që promovoi historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar përpara publikut ndërkombëtar.
