Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Qendror të Punës (IQP), institucion që do të zëvendësojë Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.

Sipas vendimit, IQP do të jetë person juridik publik, buxhetor, me seli në Tiranë, i financuar nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme. Misioni i tij do të jetë garantimi i zbatimit të legjislacionit të punës përmes kontrolleve, këshillimit, parandalimit, zbutjes së konflikteve dhe vendosjes së masave administrative kur konstatohen shkelje.

Institucioni do të ushtrojë veprimtarinë në të gjithë territorin e vendit dhe do të organizohet në dy nivele: një drejtori qendrore dhe pesë drejtori rajonale në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë dhe Shkodër, të cilat do të mbulojnë të gjitha qarqet e Shqipërisë.

Ndër përgjegjësitë kryesore të Inspektoratit do të jenë kontrolli i zbatimit të legjislacionit për kushtet e punës, kohëzgjatjen e punës, pagat, sigurinë dhe shëndetin në punë, punësimin e të miturve dhe grave, si edhe ofrimi i këshillimit teknik për punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Institucioni do të drejtohet nga një Kryeinspektor Qendror, i cili do të mbështetet nga një zëvendëskryeinspektor. Kryeinspektori do të jetë përgjegjës për organizimin dhe koordinimin e veprimtarisë së institucionit, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe financiare, si dhe raportimin e aktivitetit përpara ministrit përgjegjës dhe Inspektoratit të Përgjithshëm.

Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore do të ristrukturohet në Inspektoratin Qendror të Punës, ndërsa procesi i riorganizimit do të përfundojë brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendimit. Deri në funksionimin e plotë të strukturës së re, institucioni ekzistues do të vijojë aktivitetin sipas organizimit aktual.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi shfuqizohet vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 295, datë 20 mars 2013, për krijimin dhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.