Bateristi i njohur i Teatrit “Migjeni”, Fatmir Mesi, u përcoll me një ceremoni vlerësimi nga kolegët dhe drejtuesit e institucionit me rastin e 65-vjetorit të lindjes dhe daljes së tij në pension, pas një karriere të gjatë në shërbim të artit.
Në ambientet e Teatrit “Migjeni” u zhvillua një aktivitet festiv dhe mirënjohjeje kushtuar një prej emrave të njohur të jetës artistike të qytetit, bateristit Fatmir Mesi. Kolegë, artistë dhe drejtues të institucionit u mblodhën për ta falënderuar për kontributin e tij shumëvjeçar në skenën teatrore dhe muzikore. Gjatë aktivitetit u vlerësua përkushtimi, profesionalizmi dhe roli që Fatmir Mesi ka luajtur ndër vite si pjesë e orkestrës së Teatrit “Migjeni”, duke shoqëruar me interpretimin e tij dhjetëra shfaqje teatrore, koncerte dhe aktivitete artistike.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe emocionale, kolegët ndanë kujtime nga bashkëpunimi i gjatë me të, ndërsa nuk munguan urimet dhe fjalët e mirënjohjes për rrugëtimin e tij artistik. Ceremonia u mbyll me urimet për një pension të mbarë, ndërsa Teatri “Migjeni” shprehu mirënjohjen për kontributin e çmuar që Fatmir Mesi ka lënë në historinë artistike të këtij institucioni dhe të jetës kulturore të Shkodrës.
