Vllaznia zhvilloi miqësoren e tretë të fazës përgatitore në Slloveni, duke u mposhtur 4-2 nga FC Koper. Takimi ishte një tjetër test i rëndësishëm për trajnerin Edi Martini, i cili vijon të provojë skema dhe futbollistë në prag të ndeshjeve europiane.
Kuqeblutë kaluan në avantazh me golin e Edon Muratajt, por skuadra sllovene përmbysi rezultatin. Në pjesën e dytë, Tafili shënoi golin e dytë për Vllazninë, ndërsa Koperi realizoi edhe dy herë të tjera, duke fiksuar shifrat përfundimtare 4-2.
Kjo ishte miqësorja e tretë e Vllaznisë gjatë fazës përgatitore në Slloveni. Në testin e parë kuqeblutë u mposhtën 4-0 nga Olimpija Ljubljana, ndërsa në ndeshjen e dytë fituan me rezultatin e thellë 6-3 ndaj Rudeš.
Pavarësisht humbjes, sfida i shërbeu stafit teknik për të vlerësuar gjendjen e ekipit dhe alternativat në dispozicion. Vllaznia do të vijojë përgatitjet në Slloveni me ndeshje të tjera kontrolli përpara ndeshjes në turin e parë të Ligës së Konferencës ndaj Malishevës me 9 korrik në “Loro Boriçi”.
