Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” vijon të konfirmojë interesin e publikut, duke regjistruar rritje të numrit të vizitorëve edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, muzeu ka shënuar një rritje prej rreth 3–4%, duke ruajtur trendin pozitiv të viteve të fundit.
Interesi më i madh vazhdon të përqendrohet te koleksioni i përhershëm i fotografëve Marubi, i cili tërheq vizitorë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës. Krahas tij, ekspozitat e përkohshme kanë pasuruar kalendarin kulturor të muzeut, duke ofruar vazhdimisht arsye të reja për ta vizituar.
Sipas drejtuesve të institucionit, rritja e vizitorëve lidhet me programin e larmishëm artistik, bashkëpunimet me institucione kulturore dhe promovimin e vazhdueshëm të muzeut në media dhe platforma prestigjioze ndërkombëtare, çka ka rritur dukshëm vizibilitetin e tij.
Me këtë ritëm, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” vijon të mbetet një nga institucionet kulturore më të vizituara në Shkodër, duke forcuar rolin e tij si një prej pikave më të rëndësishme të trashëgimisë fotografike dhe turizmit kulturor në vend.
