Nata e parë e edicionit të 9-të të Festivalit të Muzikës Moderne u shndërrua në një homazh për historinë e muzikës shkodrane, duke sjellë në skenë artistë, instrumentistë dhe personalitete që kanë lënë gjurmë në jetën kulturore të qytetit. Festivali u konceptua si një urë lidhëse mes brezave, ndërsa organizatorët theksuan se zemra e këtij eventi mbetet formacioni Big Band, i cili do të performojë në natën e dytë.
Mbrëmja nisi me rikthimin në kujtesë të rolit që kanë luajtur Radio Shkodra dhe Shtëpia e Kulturës që prej vitit 1945, si edhe aktiviteti “Dasma Shkodrane” i vitit 1947. Në këtë retrospektivë u evidentua edhe kontributi i orkestrinave, të cilat u cilësuan si ndërvepruese mes jetës qytetare dhe bazave profesionale të muzikës në Shkodër.
Përmes videomesazheve, mjeshtri Robert Prendushi dhe artistja Justina Aliaj vlerësuan rëndësinë e ruajtjes së kësaj trashëgimie artistike dhe të përcjelljes së saj tek brezat e rinj.
Gjatë ceremonisë u ndanë një sërë Çertifikatash Mirënjohjeje. Me këtë vlerësim u nderuan pas vdekjes Karlo Radoja, Ferdinand Shllaku si dhe violinisti i ndjerë Mark Kaftalli. Mirënjohje pati edhe për anëtarët e grupit shkodran “Pranverë ’72”. Gjithashtu, u vlerësuan pas vdekjes edhe Nazmi Lishi dhe Luan Barova për kontributin e tyre në muzikën shkodrane.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte rikujtimi i koncertit të parë të muzikës jazz të organizuar në Shkodër në vitin 1992 nga Markelian Kapidani, një ngjarje që shënoi një etapë të rëndësishme në zhvillimin e muzikës moderne në qytet.
Nata e parë u shoqërua me interpretimet e artistëve të rinj shkodranë, të cilët sollën për publikun një repertor të larmishëm, duke dëshmuar vazhdimësinë e traditës muzikore dhe lidhjen e saj me brezin e ri. Festivali vijon me natën e dytë, ku në qendër të programit do të jetë performanca e formacionit Big Band dhe e muzikantit Markelian Kapidani me grupin e tij.
