Shkodra do të mirëpresë më 4 tetor 2026 edicionin e dytë të Shkodra Marathon, një aktivitet sportiv që synon të promovojë stilin e shëndetshëm të jetesës, pasionin për vrapimin dhe vlerat turistike të qytetit. Organizatorët kanë hapur tashmë regjistrimet për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të bëhen pjesë e garës.
Maratona do të nisë dhe do të përfundojë në sheshin para Bashkisë Shkodër, në rrugën “13 Dhjetori”, ndërsa pjesëmarrësit do të garojnë në tre kategori: 2.5 kilometra, 5 kilometra dhe 10 kilometra, sipas grupmoshave.
Aktiviteti organizohet nga Shoqata e Atletikës Vllaznia, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër dhe Federatës Shqiptare të Atletikës, me synimin për ta kthyer këtë ngjarje në një traditë sportive për qytetin dhe një pikë takimi për vrapues nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë.
Regjistrimet për pjesëmarrje janë tashmë të hapura, ndërsa organizatorët ftojnë qytetarët dhe sportdashësit të bëhen pjesë e kësaj feste të atletikës në zemër të Shkodrës.
Edicioni i parë i Shkodra Marathon mblodhi qindra pjesëmarrës dhe u vlerësua si një aktivitet që promovoi sportin, turizmin dhe jetën aktive në qytet. Organizatorët synojnë që edhe këtë vit maratona të tërheqë një numër edhe më të madh garuesish, duke e kthyer atë në një nga aktivitetet sportive më të rëndësishme në kalendarin vjetor të Shkodrës.
