“Magjia e vizatimit” e artistit Gazmend Leka ishte ekspozita personale që u çel në Galerinë e Arteve në Shkodër, një udhëtim artistik që sjell për publikun krijimtarinë e tij në vizatim përgjatë afro katër dekadave. Përmes dhjetëra punimeve, ekspozita fton vizitorët të njohin një dimension të rëndësishëm të krijimtarisë së autorit, ku vija shndërrohet në mjetin kryesor të shprehjes artistike.  

Në fjalën e tij, Gazmend Leka u shpreh se vizatimi ka qenë gjithmonë dashuria e tij e parë dhe se kjo ekspozitë përfaqëson një rikthim te burimi i krijimit, duke përmbledhur motive dhe personazhe që kanë shoqëruar rrugëtimin e tij artistik ndër vite.

Kuratori i ekspozitës, Ermir Hoxha, vlerësoi krijimtarinë e Lekës si një dëshmi të një pune të pandërprerë dhe të një identiteti të konsoliduar artistik, duke theksuar se ekspozita pasqyron jo vetëm evolucionin e autorit, por edhe rëndësinë që vizatimi ka në artin bashkëkohor shqiptar.

Edhe drejtori i Galerisë së Arteve në Shkodër, Fatmir Juka, nënvizoi vlerën e kësaj ekspozite për jetën kulturore të qytetit, duke e cilësuar rikthimin e Gazmend Lekës si një ngjarje të rëndësishme artistike.

Kjo është ekspozita e dytë që Gazmend Leka hap në Shkodër, pas një mungese prej tetë vitesh. Përveç veprimtarisë së tij si piktor, ai ka dhënë një kontribut të spikatur si pedagog në Universitetin e Arteve dhe si regjisor i filmave të animuar në Kinostudion “Shqipëria e Re”, duke lënë gjurmë të rëndësishme në artin pamor shqiptar.