Një video e publikuar në rrjetet sociale nga gazetari Blendi Fevziu ka rikthyer në vëmendje problematikën e qenve endacakë në Dhërmi, duke nxitur reagime të shumta. Në postimin e tij, Fevziu ngre pyetjen: “Pse tremben turistët në Dhërmi?”, duke iu referuar pranisë së qenve në zonën turistike.

Pas këtij publikimi, organizata për mbrojtjen e kafshëve “Animals Need Me” ka denoncuar se 11 qen janë gjetur të helmuar në Dhërmi, mes tyre edhe një qenushe e quajtur Mia, e cila sipas organizatës jetonte pranë një strukture akomoduese.

Përmes një reagimi publik, organizata e cilëson ngjarjen si një akt të rëndë dhe u bën thirrje qytetarëve që kanë informacion mbi autorët e dyshuar të kontaktojnë me ta ose me autoritetet përgjegjëse. Gjithashtu, kërkohet që të ndalet helmimi i kafshëve në emër të zhvillimit të turizmit.

Deri në këtë moment nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me pretendimet për helmimin e qenve apo nëse ka nisur një hetim për rastin.