Bashkia Shkodër u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve të përfitojnë nga lehtësitë e reja për fshirjen ose shuarjen e detyrimeve të taksave dhe tarifave vendore, të parashikuara në Ligjin nr. 86/2025 dhe Udhëzimin e Ministrisë së Financave.
Drejtori i të Ardhurave në Bashkinë Shkodër, Ardit Behari, bëri të ditur se të gjitha detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2014 fshihen automatikisht, pa qenë e nevojshme asnjë pagesë apo aplikim nga ana e taksapaguesve.
Ndërkohë, për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 2015–2019, ligji parashikon faljen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave. Principali mund të shlyhet sipas dy alternativave: me pagesën e 50% të vlerës deri më 30 qershor 2026 ose me pagesën e 75% deri më 31 dhjetor 2026.
Bashkia fton të gjithë qytetarët dhe bizneset që përfitojnë nga këto masa të paraqiten pranë sporteleve të Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore për të përfunduar procedurat përkatëse. Për informacione të mëtejshme dhe asistencë, të interesuarit mund të kontaktojnë në adresën elektronike taksat@bashkiashkoder.gov.al ose pranë Drejtorisë së të Ardhurave në Bashkinë Shkodër.
