Vetëm 24 orë para çeljes së edicionit të 9-të të Festivalit të Muzikës Moderne, po zhvillohen përgatitjet e fundit nga organizatorët dhe instrumentistët. Festivali rikthehet edhe këtë vit me një program që sjell në skenë artistë shkodranë dhe të ftuar, duke synuar të promovojë muzikën moderne dhe interpretimin instrumental.
Drejtori artistik i festivalit, Gjon Shllaku, shprehet se edicioni i sivjetshëm është konceptuar në dy mbrëmje të veçanta, me një program të larmishëm ku një vend të rëndësishëm zë edhe formacioni Big Band, i cili ndërthur traditën muzikore me qasjet bashkëkohore. Në natën e dytë të festivalit publiku do të ketë mundësinë të ndjekë tingujt e muzikantit Markelian Kapidani dhe grupit të tij.
Edicioni i 9-të i Festivalit të Muzikës Moderne do të mbahet më 27 dhe 28 qershor në Teatrin “Migjeni”, në orën 19:00, duke sjellë dy mbrëmje të dedikuara muzikës dhe interpretimit live.
