Velipoja është gati të mirëpresë një tjetër fundjavë të sezonit turistik me më shumë hapësira dhe shërbime për pushuesit. Përgatitjet e fundit janë drejt përfundimit, ndërsa duke nisur nga kjo fundjavë do të vihen në funksion edhe dy plazhe të tjera të menaxhuara, duke zgjeruar ofertën turistike të bregdetit.

Sipas Bashkisë Shkodër, plazhet e reja do t’u shtohen hapësirave publike pa pagesë, të cilat këtë sezon janë zgjeruar në krahasim me një vit më parë, duke krijuar më shumë mundësi për pushuesit që zgjedhin Velipojën.

Krahas zgjerimit të hapësirave, janë përmirësuar edhe kushtet e shërbimit, me synimin për të garantuar një sezon turistik sa më të organizuar dhe të sigurt. Autoritetet vendore theksojnë se ndërthurja e plazheve publike me ato të menaxhuara u jep vizitorëve më shumë alternativa, sipas nevojave dhe mundësive të tyre.

Me çmime të përballueshme, kushte optimale dhe një gamë më të gjerë shërbimesh, Velipoja synon të ofrojë një eksperiencë sa më cilësore për pushuesit. Edhe këtë verë, bregdeti i Velipojës pritet të mbetet një nga destinacionet më të preferuara për familjet dhe turistët vendas e të huaj.