Holli i Teatrit “Migjeni” u mbush me tingujt e pianos në koncertin tradicional “I Love Piano”, i organizuar nën drejtimin e mësueses Dorina Saraçi, duke shënuar përmbylljen e një viti të suksesshëm artistik. Në skenë performuan 23 fëmijë, të cilët interpretuan një repertor të larmishëm me vepra klasike, pjesë moderne dhe kompozime të përshtatura për moshën e tyre.

Mësuesja e pianos, Dorina Saraçi, thekson se ky koncert është një mënyrë për të kultivuar te fëmijët dashurinë për muzikën, kreativitetin dhe për t’i larguar ata nga varësia ndaj ekraneve të pajisjeve teknologjike.

Edhe vetë fëmijët e përjetuan koncertin si një mundësi për të shprehur talentin, emocionet dhe pasionin e tyre për pianon, duke ndarë me publikun frytet e punës së një viti.

Koncerti u mirëprit nga prindër, familjarë dhe artdashës, duke u shndërruar në një mbrëmje të veçantë që promovoi talentet e reja të qytetit dhe forcoi lidhjen mes fëmijëve, familjes dhe shkollës përmes gjuhës universale të muzikës.