Historia e lashtë e veriut të Shqipërisë po pasurohet me një zbulim me rëndësi të veçantë. Në kodrën e Rruplajës, pranë Bushatit, arkeologët kanë nxjerrë në dritë gjurmët e një tempulli të periudhës ilire, që daton në shekujt IV–II para Krishtit. Zbulimi konsiderohet ndër më të rëndësishmit e viteve të fundit për arkeologjinë shqiptare.
Tempulli është pjesë e një qendre urbane të fortifikuar me sipërfaqe rreth 20 ha, e cila prej vitit 2018 po studiohet nga misioni shqiptaro-polak. Vendosja e tij në pikën më të lartë të kodrës dëshmon rolin e rëndësishëm që ka pasur në jetën fetare dhe organizimin e qytetit antik.
Megjithëse prej vitesh studiuesit hedhin hipotezën se ky vendbanim mund të jetë qyteti antik i Basanias, identifikimi nuk konsiderohet ende përfundimtar.
Për rëndësinë e tij historike, siti është shpallur zonë e mbrojtur arkeologjike e kategorisë A. Ndërkohë, institucionet po punojnë që ai të bëhet më i aksesueshëm për vizitorët, përmes krijimit të infrastrukturës dhe logjistikës së nevojshme.
Edhe pse investimet për sistemimin e plotë janë ende në proces, siti arkeologjik i Bushatit mbetet i vizitueshëm që tani, ndërsa gërmimet pritet të vijojnë edhe në sezonet e ardhshme, me shpresën për të zbuluar dëshmi të reja që do të ndihmojnë në ndriçimin e historisë së kësaj qendre të rëndësishme ilire.
