Vllaznia ka vijuar lëvizjet në merkaton e verës, duke zyrtarizuar largimin e mbrojtësit Melos Bajrami dhe prezantimin e afrimit më të ri, mesfushorit Randy Dwumfour.
Pas dy sezonesh me fanellën kuqeblu, Melos Bajrami mbyll bashkëpunimin me klubin shkodran. Në mesazhin e publikuar nga Vllaznia, klubi e falënderon mbrojtësin për përkushtimin, seriozitetin dhe kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës.
Ndërkohë, kuqeblutë kanë zyrtarizuar afrimin e mesfushorit Randy Dwumfour, i cili ka firmosur një kontratë 1+1 me të drejtë rinovimi. Pas eksperiencës në futbollin shqiptar me Skënderbeun, ai pritet të sjellë më shumë forcë fizike, dinamizëm dhe eksperiencë në repartin e mesfushës.
Me një largim në mbrojtje dhe një përforcim në mesfushë, Vllaznia vijon ndërtimin e skuadrës në prag të sfidave në Ligën e Konferencës dhe sezonit të ri.
