Vllaznia ka reaguar pas humbjes në testin e parë ndaj Olimpija Ljubljana, duke fituar me rezultatin e thellë 6-3 ndaj skuadrës kroate NK Rudeš në miqësoren e dytë të zhvilluar në kuadër të fazës përgatitore në Slloveni.

Takimi i shërbeu stafit teknik për të konsoliduar skuadrën, për të integruar afrimet e reja dhe për t’u dhënë minuta sa më shumë futbollistëve, ndërsa kuqeblutë vijojnë përgatitjet me ritëm të lartë në prag të ndeshjeve të turit të parë të Conference League ndaj Malishevës. Në aspektin ofensiv, skuadra e drejtuar nga Edi Martini dha sinjale shumë pozitive duke realizuar gjashtë gola, ndërsa stafi teknik do të analizojë edhe tre golat e pësuar për të përmirësuar organizimin në mbrojtje.

Pak para nisjes së miqësores, Vllaznia zyrtarizoi edhe largimin e mbrojtësit Eslit Sala. Në një postim në rrjetet sociale, klubi e falënderoi futbollistin për profesionalizmin, sakrificat dhe kontributin e dhënë me fanellën kuqeblu, duke i uruar suksese në vazhdimin e karrierës.

Fitorja ndaj Rudešit i jep më shumë besim Vllaznisë në këtë fazë të përgatitjeve, teksa vëmendja tashmë është përqendruar te sfida zyrtare e 9 korrikut ndaj Malishevës në turin e parë të UEFA Conference League.