Me përfundimin e vitit shkollor, rutina e fëmijëve dhe adoleshentëve ndryshon ndjeshëm. Përgjatë kësaj periudhe shtohet koha para ekraneve, ulet aktiviteti fizik dhe shpesh prishet edhe ritmi i gjumit.
Kur jemi me pushime mund të tolerohet një largim i lehtë nga oraret e zakonshme të gjumit, por ai nuk duhet neglizhuar sipas psikologes klinike, Loreta Tomaj. Aktivitetet e tjera për të mbushur kohën e lirë janë po aq të rëndësishme.
Gjumi i rregullt dhe cilësor ndihmon në rigjenerimin e organizmit, përmirëson përqendrimin, humorin dhe aftësinë për të përballuar stresin. Ruajtja e këtij ritmi edhe gjatë pushimeve verore ndikon pozitivisht në shëndetin fizik dhe emocional të njeriut, duke u përgatitur më mirë për rikthimin në rutinën e përditshme.
