Vllaznia ka zhvilluar ndeshjen e parë miqësore në kuadër të fazës përgatitore që po zhvillon në Slloveni, duke u përballur me ekipin e NK Olimpija Ljubljana, një nga skuadrat më të forta të futbollit slloven.
Takimi u mbyll me fitoren 4-0 të vendasve, në një sfidë që shërbeu kryesisht për stafin teknik kuqeblu për të testuar gjendjen e ekipit, për të harmonizuar afrimet e reja me pjesën tjetër të skuadrës dhe për t’u dhënë minuta aktivizimi futbollistëve të rinj të ardhur nga akademia.
Trajneri Edi Martini pati mundësinë të vlerësojë nga afër formën e grupit në këtë fazë të përgatitjeve, ndërsa rezultati kaloi në plan të dytë përballë objektivit kryesor të ndërtimit dhe konsolidimit të skuadrës për ballafaqimin në Conference League.
Ndërkohë kuqeblutë kanë bërë lëvizjet e radhës në merkato duke afruar dy mbrojtës Xhezair Avduli dhe Fatbardh Latifi. 21-vjeçari nga Maqedonia e Veriut, Avduli vjen nga KF Arsimi dhe ka firmosur një kontratë trevjeçare me Vllazninë. Sa i përket 27-vjeçarit Latifi, ai vjen nga Trepça 89 dhe ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare me të drejtë rinovimi.
Miqësorja e radhës për Vllazninë do të jetë ndaj ekipit kroat NK Rudeš, ku pritet të vijojë puna për rritjen e formës sportive në prag të ndeshjeve të turit të parë të Ligës së Konferencës ndaj Malishevës.
