Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” mirëpriti këtë të mërkurë Konferencën Ndërkombëtare Shkencore për Standardet e Vlerësimit Psikologjik, një aktivitet që mblodhi studiues, pedagogë dhe profesionistë të fushës.

Konferenca u zhvillua në kuadër të projektit kërkimor “Standardizimi dhe akreditimi i mjeteve të vlerësimit psikologjik në Shqipëri: Sfidat, boshllëqet dhe perspektivat për praktikën e bazuar në evidenca”, një nismë e financuar nga Programi Kombëtar i Kërkimit dhe Zhvillimit i AKKSHI-së. Projekti drejtohet nga Prof. As. Dr. Visar Dizdari, në bashkëpunim me Departamentin e Psikologjisë dhe Punës Sociale të Universitetit të Shkodrës dhe Universitetin Europian të Tiranës.

Në fjalën e saj, rektorja e Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Blerta Dragusha, vlerësoi rëndësinë e konferencës si një mundësi për të forcuar bashkëpunimin shkencor dhe për të adresuar sfidat që sjellin zhvillimet sociale, kulturore dhe teknologjike të shoqërisë bashkëkohore. Në të njëjtën linjë, Prof. As. Dr. Eranda Bilali theksoi rolin që kërkimi shkencor dhe praktikat profesionale kanë në përmirësimin e shërbimeve psikologjike dhe në përshtatjen e tyre me nevojat e reja të shoqërisë.

Ndërkohë, drejtuesi i projektit dhe përgjegjësi i Departamentit të Psikologjisë dhe Punës Sociale, Prof. As. Dr. Visar Dizdari, u ndal te sfidat që lidhen me vlerësimin psikologjik në Shqipëri. Ai theksoi nevojën për standardizimin dhe akreditimin e instrumenteve të përdorura nga profesionistët, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe mbështetjen e praktikës mbi baza shkencore.

Gjatë sesioneve shkencore u prezantuan studime dhe analiza mbi përdorimin aktual të mjeteve të vlerësimit psikologjik në Shqipëri, boshllëqet që ekzistojnë në këtë fushë dhe rekomandimet për përmirësimin e tyre. Në konferencë morën pjesë edhe ekspertë ndërkombëtarë nga Belgjika dhe Italia, të cilët ndanë përvojat dhe praktikat më të mira europiane.

Organizatorët e konsiderojnë këtë nismë një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të profesionit të psikologut në Shqipëri, forcimit të kërkimit shkencor dhe përmirësimit të shërbimeve të shëndetit mendor për qytetarët.