Sezoni i ri turistik veror ka nisur me zhvillime pozitive për Kalanë Rozafa. Duke nisur nga muaji maj, monumenti më i vizituar i trashëgimisë kulturore në qark ka kaluar në orar të zgjatur vizitash nga 09:00-20:00, i cili do të vijojë deri në fund të muajit tetor. Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, kjo masë synon t’u ofrojë turistëve më shumë mundësi për të vizituar kalanë gjatë sezonit të verës.

Drejtori i DRTK Shkodër, Helidon Sokoli, shprehet se edhe gjatë gjysmës së parë të muajit qershor është ruajtur trendi në rritje i numrit të vizitorëve, duke konfirmuar interesin e lartë për këtë destinacion historik dhe kulturor.

Sipas tij, një tjetër tregues pozitiv është zgjerimi i gjeografisë së vizitorëve. Krahas turistëve vendas dhe atyre nga rajoni, Kalaja e Rozafës po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë, duke forcuar pozicionin e saj si një prej atraksioneve kryesore turistike të veriut të Shqipërisë.

Shifrat e vitit të kaluar dëshmojnë qartë këtë interes në rritje. Gjatë vitit 2025, Kalaja Rozafa u vizitua nga rreth 170 mijë turistë, një nga rezultatet më të larta të regjistruara ndonjëherë për këtë monument, ndërsa pritshmëritë janë që viti 2026 të shënojë një tjetër rekord vizitash.