Vllaznia ka nisur prej disa ditësh përgatitjet për ndeshjet e turit të parë të Ligës së Konferencës ndaj Malishevës, si dhe për sezonin e ri futbollistik. Kuqeblutë kanë pësuar disa ndryshime në merkato, me largime dhe afrime lojtarësh, ndërsa skuadra po punon për të ndërtuar grupin që do të përfaqësojë Shkodrën në arenën europiane.
Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Rudi Vata, vlerëson se Vllaznia duhet të ketë më shumë besim te lojtarët e rinj, të cilët sipas tij paraqiten më të motivuar dhe më të etur për të dhënë maksimumin, veçanërisht në përballjet ndërkombëtare.
Sipas Vatës, një tjetër element vendimtar për suksesin e skuadrës mbetet serioziteti në punë dhe përkushtimi gjatë stërvitjes. Ai thekson se vetëm përmes disiplinës dhe angazhimit maksimal Vllaznia mund të synojë rezultate pozitive në sfidat e Ligës së Konferencës.
Ndërkohë, kuqeblutë kanë nisur fazën përgatitore në Slloveni, ku do të zhvillojnë edhe disa ndeshje miqësore ndaj skuadrave nga Sllovenia, Kroacia dhe Rumania. Këto teste pritet t’i shërbejnë stafit teknik për të konsoliduar formacionin përpara sfidës europiane me Malishevën dhe nisjes së kampionatit të ri.
