Në Bogë të Malësisë së Madhe u zhvillua edicioni i tretë i “Festës së Çobanit”, një aktivitet tradicional i organizuar nga Agroturizëm “Buni” dhe “Kulla e Bajraktarit”, me synimin për të promovuar kulturën, traditat dhe jetën baritore të Alpeve Shqiptare.
Aktiviteti nisi me parakalimin e tufave të deleve, një nga simbolet më përfaqësuese të transhumancës dhe jetës pastorale që ka karakterizuar prej shekujsh zonat alpine të veriut të Shqipërisë. Ky moment tërhoqi vëmendjen e vizitorëve dhe turistëve të shumtë të pranishëm në Bogë.
Më pas, atmosfera festive vijoi me muzikë, këngë dhe valle tradicionale, duke sjellë në qendër të vëmendjes pasurinë kulturore dhe folklorike të Malësisë së Madhe. Në aktivitet morën pjesë banorë të zonës, turistë vendas e të huaj, si dhe përfaqësues të institucioneve lokale e kombëtare.
Në fjalët përshëndetëse, deputeti Bujar Rexha dhe organizatori Gezim Olaj vlerësuan rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe traditave të zonës, duke theksuar se promovimi i tyre ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe konferenca studentore “Transhumanca në Alpet Shqiptare: Trashëgimi, identitet dhe perspektiva për zhvillim të qëndrueshëm”, e organizuar nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës. Konferenca shënoi përmbylljen e një projekti kërkimor mbi ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë etnokulturore të Alpeve Shqiptare, me mbështetjen e Agjencisë për Kërkim Shkencor dhe Inovacion.
Organizimi artistik i aktivitetit u realizua nga regjisorja Rita Kalaj Shkurtaj, ndërsa moderimi u drejtua nga gazetarja Kozeta Bruçi.
Edicioni i tretë i Festës së Çobanit konfirmoi edhe një herë potencialin e madh të traditave alpine si një vlerë identitare dhe një mundësi e rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave malore.
