Mesfushori shkodran, Ardit Krymi, ka zyrtarizuar largimin nga KF Vllaznia përmes një postimi në rrjetet sociale, ku krahas njoftimit të largimit ka shprehur edhe pakënaqësi të forta ndaj mënyrës se si është trajtuar në periudhën e fundit nga drejtuesit e klubit.

Në mesazhin e tij, Krymi thekson se gjatë gjithë karrierës ka bashkëpunuar me shumë trajnerë dhe ka kaluar momente të vështira e të bukura, por se kurrë më parë nuk është ndjerë aq i pavlerësuar sa në këtë periudhë. Ai shprehet se ka duruar më shumë sesa duhet, ka respektuar vendime me të cilat nuk ka qenë dakord dhe ka vazhduar të japë maksimumin për fanellën kuqeblu.

Futbollisti thekson se nuk ka kërkuar privilegje, por vetëm respektin që beson se e ka merituar pas viteve të sakrificës dhe kontributit në futboll. Sipas tij, heshtja e mbajtur deri tani ishte një zgjedhje për të mos krijuar polemika dhe për të respektuar tifozët, por nuk duhet të interpretohet si pranim i padrejtësive.

Krymi largohet nga Vllaznia me pengun e mosfitimit të titullit kampion me skuadrën e qytetit të tij. Në fund të mesazhit ai falënderon tifozët për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëlojtarët me të cilët ndau vitet e tij te skuadra kuqeblu.

Reagimi i plotë i futbollistit Ardit Krymi në rrjetet sociale

Pershendetje 
Te dashur tifoze dhe sportdashes shkodran,sot njoftoj largimin tim nga Vllaznia.

Kam dhan gjithçka për këtë fanellë. Kam luajtur me zemër, me përkushtim dhe me respekt për klubin, qytetin dhe mbi të gjitha për tifozët, të cilët kanë qenë gjithmonë forca jeme më e madhe.

Kam hesht për një kohë të gjatë nga respekti për klubin dhe tifozët, por mendoj se ka ardhur momenti të them disa gjëra.

Gjatë gjithë karrierës teme kam punuar me shumë trajnerë dhe kam kaluar momente të vështira e të bukura, por kurrë nuk jam ndjerë kaq i pavlerësum se gjatë kësaj periudhe. Kam duruar më shumë sesa duhet, kam respektu vendime me të cilat nuk kam qenë dakord dhe kam vazhdu të jap maksimumin për fanellën.

Nuk kam kërku privilegje, vetëm respektin që besoj se e kam meritu pas gjithë viteve të sakrificës dhe kontributit në futboll.

Për hir të tifozëve zgjodha të hesht dhe të mos krijoj polemika, por heshtja nuk duhet ngatërruar me pranimin e padrejtësive.

Largohem me ndërgjegje të pastër, por me pengun ma te madh mos fitimin e titullit ne shkoder.Falenderoj tifozët që më kanë mbështetur gjithmonë.Ju keni qenë arsyeja pse kam luftu deri ne sekonden e fundit ne fushe.
Gjithashtu falenderoj te gjithe cunat e
ekipit per keto vite qe i ndam se bashku.

Faleminderit❤️💙

Pas postimit të Ardit Krymit për largimin nga Vllaznia, ka ardhur edhe reagimi i klubit kuqeblu. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Vllaznia e falënderon mesfushorin shkodran për kontributin, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar ndër vite, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës. Klubi thekson se Krymi do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë së Vllaznisë dhe se dyert e skuadrës do të jenë gjithmonë të hapura për të.

Reagimi i KF Vllaznia

Faleminderit, Ardit Krymi! ❤️💙

Pas shumë vitesh me fanellën kuqeblu, vjen momenti të të falënderojmë për gjithçka që ke dhënë për Vllazninë.

Përkushtimi, profesionalizmi dhe kontributi yt do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë sonë.

Të urojmë suksese në vazhdim të karrierës dhe besojmë se një ditë rrugët tona do të kryqëzohen sërish.

Suksese, Ardit! Vllaznia do të mbetet gjithmonë shtëpia jote. ❤️💙