Vllaznia ka nisur këtë të diel fazën përgatitore verore në Slloveni, në kuadër të përgatitjeve për sezonin 2026-2027 dhe sfidave që e presin në arenën europiane. Kuqeblutë do të zhvillojnë një periudhë intensive stërvitore, me synimin për të rritur formën sportive dhe për të konsoliduar grupin përpara nisjes së sezonit të ri.
Gjatë qëndrimit në Slloveni, skuadra e drejtuar nga Edi Martini do të luajë pesë ndeshje miqësore ndaj kundërshtarëve cilësorë nga Kroacia, Sllovenia dhe Rumania. Përballjet ndaj NK Lokomotiva Zagreb, NK Olimpija Ljubljana, NK Rudes, FC Argeș Pitești dhe FC Koper do të shërbejnë si një test i rëndësishëm për nivelin e ekipit dhe përgatitjen taktike të grupit.
Faza stërvitore vjen në një moment të rëndësishëm për Vllazninë, e cila po përgatitet edhe për përballjen me Malishevën e Kosovës në turin e parë të Conference League. Stafi teknik synon që përmes këtyre ndeshjeve të krijojë një skuadër sa më konkurruese për objektivat e sezonit të ri.
Me punë, sakrificë dhe ambicie, kuqeblutë synojnë të paraqiten denjësisht si në sfidat europiane që i presin në muajin korrik.
